Presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy uroi Presidenten Atifete Jahjaga

Presidenti i Republikës së Francës, Nicolas Sarkozy e ka uruar Presidenten e Republikës së Kosovës, zonjën Atifete Jahjaga, me rastin e zgjedhjes në krye të vendit.

Letrën e urimit, Presidentes Jahjaga ia dorëzoi sot ambasadori i Republikës së Francës në vendin tonë, Jean-François Fitou.

Në letrën e urimit të Presidentit Sarkozy thuhet:

Zonja Presidente,

Në momentet kur ju keni arritur në kryesinë e Kosovës, dua t’ju dërgoj përgëzimet e mia më të ngrohta dhe uroj që të keni sukses në ushtrimin e misionit tuaj të lartë.

Prej pavarësisë së saj para tri viteve, Kosova ka bërë reforma të rëndësishme. Por, të tjera duhet ende të bëhen dhe në veçanti për të konsoliduar institucionet, sundimin e ligjit, si dhe të favorizohet integrimi i minoriteteve. Sfida të rëndësishme duhet kaluar, në fushën ekonomike dhe sociale, si dhe në marrëdhëniet me Serbinë. Ky është objektivi i dialogut të angazhuar ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

E përshëndes vullnetin tuaj për të dhënë impulsionet politike për të realizuar reformat dhe për t’i pranuar sfidat. Këto janë etapa të nevojshme për vazhdimin e integrimit evropian të Kosovës, që ka plotësisht prirje t’i bashkohet Bashkimit tonë, sikurse çdo anëtar tjetër.

Në këtë rrugë, për të realizuar këtë ambicie, mund të llogaritni në ndihmën e Francës, sikurse keni llogaritur në mbështetjen e saj për ta njohur dhe për ta përforcuar Shtetit tuaj të ri.

Ju lus që të besoni, Zonja Presidente, në sigurinë e konsideratës time shumë të lartë.

Nicolas Sarkozy

Agjenda