Shpërndahet Kuvendi i Kosovës, zgjedhjet e parakohshme më 12 dhjetor 2010

Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi dekretoi sot shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.

Ky dekret u mor duke u bazuar në nenin 90, në nenin 84, pika 4, në nenin 82, paragrafi 2 dhe në nenin 100 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë në Kuvendin e Kosovës, më 2 nëntor 2010.

Po sot, Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi mori vendim që zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës të mbahen më 12 dhjetor 2010.

Ky vendim u mor duke u bazuar në nenin 90, në nenin 66, paragrafi 2, në nenin 84, pika 3, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe në nenin 4, paragrafët 4.5 dhe 4.6 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës.

Me këtë vendim ngarkohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Republikës së Kosovës që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin e zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, në përputhje me këtë vendim dhe me ligjin në fuqi.

Po kështu, me këtë vendim shfuqizohet vendimi i datës 15 tetor 2010, për zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të parapara për 13 shkurt 2011.

Agjenda