Sejdiu: Kosova është një rrëfim suksesi

Në prag të takimit të sotëm, Presidenti Sejdiu ka shtruar një drekë për përfaqësuesit e Grupit Drejtues Ndërkombëtar, gjatë së cilës i ka informuar ata për zhvillimet e përgjithshme të kohëve të fundit në Kosovë, për vizionin e institucioneve dhe të popullit të Kosovës për lëvizje sa më të shpejtë në proceset integruese, për bashkëpunimin e gjithmonshëm me ICO-n, EULEX-in dhe KFOR-in, por edhe për përkushtimin për realizimin e pritjeve të qytetarëve të vendit.

“Është sfidë e vazhdueshme që të realizohet projekti politik i Kosovës për lëvizje të shpejtë në proceset integruese, por edhe në planin e brendshëm duke u nisur nga zhvillimi ekonomik, çështja e sundimit të ligjit dhe fushat e tjera”, theksoi Presidenti Sejdiu.

Presidenti Sejdiu, edhe me këtë rast, u bëri thirrje përfaqësuesve të vendeve pjesëmarrëse në këtë takim, që të japin në vazhdimësi ndihmë të veçantë në procesin e njohjeve të reja për Republikën e Kosovës dhe të anëtarësimit të saj në mekanizmat ndërkombëtarë.

Presidenti Sejdiu tha se priste që pas opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë do të ketë lëvizje pozitive në procesin e njohjeve të reja, duke marrë parasysh angazhimin e institucioneve të vendit, por edhe angazhimet që kanë të gjithë miqtë e Kosovës.

“Krahas sfidave me të cilat përballet shteti i ri i Kosovës, Kosova është një rrëfim suksesi, një rrëfim i mirë i kapërcimit me kualitet të një distance që nga koha kur është pavarësuar, por paralelisht kemi një zotim që do ta realizojmë në ecje e sipër për të pasur Kosovën me realizim të pritjeve të qytetarëve të vet, një Kosovë të plotë, një pavarësi që nuk ka kthim, një pavarësi që nuk negociohet dhe një integritet të plotë territorial”, theksoi Presidenti Sejdiu.

Ndërsa, kryeministri Thaçi tha se takimi i sotëm hap një kapitull të ri në Republikën e Kosovës në prag të prezantimit të opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare. Sipas tij, edhe pas këtij opinioni do të ketë vetëm ecje përpara të Republikës së Kosovës, njohje të reja, proces integrues edhe më të shpejtë në NATO dhe në BE, e pse jo edhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Përfaqësuesi i Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë, z. Piter Feith tha se takimi që do të mbahet sot tregon se shteti i Kosovës dhe institucionet janë konsoliduar, se është arritur progres thelbësor në implementimin e propozimit të Presidentit Ahtisaari dhe se Grupi Drejtues Ndërkombëtar e mbështet fuqishëm pavarësinë e Kosovës që është proces i pakthyeshëm dhe shpreh përkushtimin e thellë për respektimin e integritetit territorial të Kosovës.

Në konferencën për media, Presidenti Sejdiu iu përgjigj edhe pyetjeve të gazetarëve  lidhur me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Presidenti tha se institucionet që merren me fushën e sundimit të ligjit duhet të bëjnë punën e tyre si duhet dhe se asnjëherë nuk duhet të ndodhë që politika të përzihet dhe të diktojë në çështjet që kanë të bëjnë me drejtësinë, sepse është fushë apo mandat i tyre që të zgjedhin të gjitha çështjet që shtrohen para tyre.

Edhe Kryeministri Thaçi tha se nuk do të lejohet interferime politike në fushën e sundimit të ligjit dhe se do të punohet maksimalisht që të jemi në vijën që na takon si institucione të Republikës së Kosovës.

“Kemi ndërtuar kapacitete dhe kemi vendosmërinë dhe fuqinë që të marrim vendime që na takojnë, por edhe përgjegjësi që na takojnë duke çmuar dhe vlerësuar rolin fascilitues dhe mbështetës të të gjithë mekanizmave ndërkombëtarë në Kosovë të ICO-së dhe EULEX-it”, theksoi kryeministri Thaçi.

Agjenda