Presidentët e Kosovës

DR. IBRAHIM RUGOVA, PRESIDENTI HISTORIK I KOSOVËS



Shënime biografike: letrare dhe politike

Ibrahim Rugova lindi më 2 dhjetor 1944 në fshatin Cercë, komuna e Istogut. Më 10 janar 1945 komunistët jugosllavë ia pushkatuan të atin, Ukën dhe gjyshin Rrustë Rugova, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që po depërtonin në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ibrahim Rugova shkollën fillore e kreu në Istog, të mesmen e kreu në Pejë, më 1967. Fakultetin Filozofik – Dega Gjuhë e Letërsi Shqipe e kreu në Prishtinë. Gjatë vitit akademik 1976-77 qëndroi në Paris, në Ecole Pratique des Hautes Etudes, nën mbikëqyrjen e Prof. Roland Barthes-it, ku ndoqi interesimet e veta shkencore në studimin e letërsisë, me përqendrim në teorinë letrare. Doktoroi në fushën e letërsisë në Universitetin e Prishtinës, më 1984. Në vitin 1996 Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës. Në fillim ishte redaktor në gazetën e studentëve Bota e re dhe në revistën shkencore Dituria (1971-72), që botoheshin në Prishtinë. Një kohë punoi edhe në revistën Fjala. Mandej, për afro dy dekada, Dr. Ibrahim Rugova veprimtarinë e vet shkencore e zhvilloi në Institutin Albanologjik si hulumtues i letërsisë. Një kohë ka qenë kryeredaktor i revistës Gjurmime albanologjike të këtij Instituti. Me krijimtari letrare u mor që nga fillimi i viteve gjashtëdhjetë.

Dr. Ibrahim Rugova më 1988 u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, që u bë bërthamë e fuqishme e lëvizjes shqiptare, e cila kundërshtoi sundimin komunist serb dhe jugosllav në Kosovë.

Si intelektual me nam që i jepte zë kësaj lëvizjeje intelektuale e politike Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh, më 23 dhjetor 1989, nga themelimi kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së parë politike në Kosovë që sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi. LDK, nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës, u bë shpejt forca politike prijëse në Kosovë, duke mbledhur shumicën e popullit rreth vetes. Në bashkëpunim me forcat e tjera politike shqiptare në Kosovë si dhe me Kuvendin e atëhershëm të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova dhe LDK-ja përmbyllën kornizën ligjore për institucionalizimin e pavarësisë së Kosovës. Deklarata e pavarësisë (2 korrik 1990), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i kushtetutës së saj (7 shtator 1990), referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, mbajtur në fund të shtatorit 1991, qenë prelud për zgjedhjet e para shumëpartiake për Kuvendin e Kosovës, mbajtur më 24 maj 1992. Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i Republikës së Kosovës. Dr. Ibrahim Rugova u rizgjodh President i Republikës së Kosovës në zgjedhjet e mbajtura në mars të vitit 1998.

Nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës LDK-ja fitoi shumicën e votave në zgjedhjet e para lokale të sponsorizuara ndërkombëtarisht në Kosovën e pasluftës në tetor të vitit 2000 si dhe n zgjedhjet e para nacionale në vitin 2001 dhe në zgjedhjet e dyta lokale të vitit 2002. LDK fitoi edhe zgjedhjet e fundit nacionale më 2004.

Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i Kosovës në mars të vitit 2002 dhe u rizgjodh edhe më 2004.

Dr. Ibrahim Rugova vdiq më 21 kallnor 2006 në Prishtinë dhe u varros në Bregun e Diellit me nderimet më të mëdha të popullit të Kosovës.

Në përvjetorin e vdekjes së Ibrahim Rugovës, më 21 janar 2007, Presidenti i Kosovës, Dr. Fatmir Sejdiu, dekoroi Presidentin historik të Kosovës me Urdhrin “Hero i Kosovës”, titulli më i lartë në vendin tonë që u jepet figurave historike shqiptare dhe të Kosovës që kanë bërë “vepra trimërie për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.

Ibrahim Rugova ka botuar këto vepra:

- Prekje lirike, Rilindja, Prishtinë, 1971,
- Kah teoria, Rilindja, Prishtinë, 1978,
- Bibliografia e kritikës letrare shqiptare 1944-1974, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 1976 (së bashku me Isak Shemën),
- Kritika letrare (nga De Rada te Migjeni), Rilindja, Prishtinë, 1979 (së bashku me Sabri Hamitin),
- Strategjia e kuptimit, Rilindja, Prishtinë, 1980
- Vepra e Bogdanit 1675-1685, Rilindja, Prishtinë, 1982,
- Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare 1504-1983, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 1986
- Refuzimi estetik, Rilindja, Prishtinë, 1987,
- Pavarësia dhe demokracia, Fjala, Prishtinë, 1991,
- Çështja e Kosovës, Dukagjini, Pejë, 1994,
- Kompleti i veprave të Ibrahim Rugovës në tetë vëllime, Faik Konica, Prishtinë, 2005

Çmimet dhe titujt ndërkombëtarë të Ibrahim Rugovës:

- Më 1995, Dr. Ibrahim Rugovës iu dha Çmimi për paqe i Fondacionit Paul Litzer në Danimarkë.
- Më 1996, Dr. Ibrahim Rugova u shpall Doktor Nderi (Honoris Causa) i Universitetit të Parisit VIII, Sorbonë, Francë.
- Më 1998, Dr. Ibrahim Rugovës iu nda Çmimi Saharov i Parlamentit Evropian.
- Në vitin 1999, Dr. Rugova mori Çmimin për paqe të qytetit Mynster, Gjermani, ndërsa u shpall qytetar nderi i qyteteve italiane: Venedik, Milano dhe Breshia.
- Në vitin 2000, Dr. Ibrahim Rugova mori çmimin për paqe të Unionit Demokratik të Katalonisë “Manuel Carrasco i Formiguerra” në Barcelonë, Spanjë.
- Në vitin 2004 Dr. Ibrahim Rugova u nderua me Çmimin e Evropës, Senator Nderi nga Fondacioni panevropian Coudenhove-Kalergi.
- U nderua gjithashtu nga Komonuelthi i Pensilvanisë (SHBA), “Mik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.
- Më 2004, Dr. Ibrahim Rugova u shpall Doktor Nderi (Honoris Causa) i Universitetit të Tiranës.

*****

DR. FATMIR SEJDIU, PRESIDENT I PARË I REPUBLIKËS SË KOSOVËS 2006-2010



Fatmir Sejdiu u lind më 23 tetor 1951 në Pakashticë, komuna e Podujevës, Kosovë. Shkollimin fillor dhe të mesëm i ka mbaruar në Podujevë.

Ka mbaruar Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Prishtinës, më 1974, ku ka mbaruar edhe studimet pasuniversitare, si dhe ka mbrojtur disertacionin e doktoratës.

Ishte mësimdhënës në Fakultetin Juridik dhe në atë të Shkencave Politike të Universitetit të Prishtinës me thirrjen e profesorit ordinar për 33 vjet me radhë. Për studime të thelluara ka qëndruar në Francë (Universiteti “Paris 2”, në vitin 1984, në Seksionin e Historisë së Institucioneve të Ekonomisë, Filozofisë dhe Sociologjisë të së Drejtës dhe historisë së ideve politike) dhe në SHBA (Arizona State University, për 4 muaj), si dhe ka pasur qëndrime më të shkurtra studimore në universitete të tjera. Ka publikuar shumë punime shkencore nga fusha juridike – historike dhe juridike - kushtetuese, si dhe libra të veçantë nga këto fusha.

Fatmir Sejdiu ka qenë pjesëmarrës i Kuvendit themelues të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) më 23 dhjetor 1989. Në Kuvendin e Parë Zgjedhor, në vitin 1991, është zgjedhur anëtar i Këshillit të Përgjithshëm dhe më 1992 anëtar i Kryesisë së LDK-së, ndërsa më 1994 Sekretar i Përgjithshëm i LDK-së. Këtë funksion e ushtroi edhe nga 2004-2006.

Më 9 dhjetor 2006 është zgjedhur kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, funksion në të cilin ishte deri në vitin 2010.

Ka qenë anëtar i Komisionit Qendror për organizimin e Referendumit për pavarësinë e Kosovës të mbajtur më 1991.

Është zgjedhur deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës më 1992 dhe më 1998. Po kështu, më 1998 është zgjedhur Sekretar i Përgjithshëm i Kuvendit dhe kryetar i Komisionit për Çështje Kushtetuese. Më 2001, në zgjedhjet e para demokratike të pasluftës, është zgjedhur deputet në Kuvendin e Kosovës dhe anëtar i Kryesisë së Kuvendit, në të cilat cilësi është rizgjedhur sërish më 2004.

Më 10 shkurt 2006, Fatmir Sejdiu u zgjodh Presidenti i Republikës së Kosovës me dy të tretat e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Ka udhëhequr Ekipin e Unitetit, në bisedimet para përcaktimit të statusit final të Republikës së Kosovës.

Ka mbajtur ligjërata në institucione të rëndësishme shkencore në botë, si në Arizona State University, Unionin e Oxfordit, LSE Londër, Luven, Tiranë, në “World Affairs Council” – San Francisko, në Universitetin e Harvardit e institucione të tjera.

Në qershor të vitit 2006, Universiteti Shtetëror i Tiranës i akordoi Dr. Fatmir Sejdiut titullin Doctor Honoris Causa.

Më 3 nëntor 2008, Presidenti Sejdiu u nderua nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z.Bamir Topi, me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

Më 5 nëntor 2008, Presidenti Sejdiu ka marrë Çmimin “Qytetar Nderi i Shkodrës”.

Më 23 shkurt 2009, Presidenti Sejdiu, në Arizona State University, u nderua me çmimin “Distinguished Global Leadership"

Po kështu, në prill 2011, u nderua me titullin Doctor Honoris Causa nga Universiteti Shtetëror i Sakaryas në Turqi.

Komunikon në shqip, frëngjisht, anglisht, serbo-kroatisht, bullgarisht, maqedonisht. Është i martuar dhe ka tre fëmijë. Jeton në Prishtinë.

Më 27 shtator 2010, ai dha dorëheqje nga posti i Presidentit të Republikës së Kosovës.


*****

Nga data 28 shtator 2010 deri më 22 shkurt 2011, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi kreu funksionin e Ushtruesit të Detyrës së Presidentit të Republikës.

*****

BEHGJET PACOLLI, PRESIDENT I REPUBLIKËS SË KOSOVËS, 22 SHKURT-30 MARS 2011



Data,vendi i lindjes,familja: 30 gusht 1951, Marec, Prishtinë. I biri i Isës dhe Nazmijes. I martuar me znj. Masha, shtetase ruso-zvicerane me prejardhje burjato-tartare. Prind i pesë fëmijëve, tri vajzave dhe dy djemve (Arbreshës, Selenës, Hanës, Isës dhe Diarit).

Edukimi: Edukimi fillestar dhe i mesëm, Prishtinë (dy shkolla të mesme, Normalen dhe Gjimnazin në Prishtinë).
1970-1973 Institut für Außenhandel, Hamburg Universitat, Instituti i Tregëtisë së jashtme,Universiteti i Hamburgut
1982-1983 Master në Marketing dhe Menaxhment – Instituti Mösinger Zurich.

Profili profesional: 1974-1975 Korrespondent për gjuhë të huaja pranë Drejtoratit për zhvillim, Kombinati i Tekstilit, Gjilan.
- 1976 Drejtor komercial i Kompanisë Peter Zimmern Austri.
- Kompania Interplastica Project Engeneering në Morbio Inf. Zvicër.
- 1977-1983 Drejtor Komercial
- 1983-1990 Drejtor gjeneral
- 1990-2009 Themelues dhe President i Mabetex Project Engineering, Lugano Zvicër.
- 1992-2009 President i CRS-Credito per lo sviluppo e ristrutturazione, Lugano Zvicër;
- President i Mabco Construction.
- President i Swiss Diamond Hotel Management, Bermuda;
- Co Krueger Hoch –Tiefbau, Berlin;
- Co Interfin Finance Londër;
- Co Mabetex International (18 vende të botës);
- Pronar i kompanise së sigurimeve Siguria, Prishtinë;
- Aksionar në Bankën Ekonomike, Prishtinë;
- Pronar i Saranda Properties;
- Co Sine Tempore International ;
- Co BK Anstalt Lichtenstein;
- Co Diamond Travel;
- 2009 Mbyll mandatin menaxherial në të gjitha Kompanitë e tij, mbetet vetëm pronar i aksioneve të rregulluara sipas legjislacionit në shtetin ku ato veprojnë.

Angazhime të tjera:
- Sponsor kryesor i Fondacionit Aleksandër Moisiu;
- Themelues i Fondacionit dhe jetimoreve Per i “Bambini Di Sakha”

Promovues dhe themelues i:
- FORK – Fondacioni për Rindërtimin e Kosovës, Lugano, Prishtinë;
- Themelues i UASH, Unioni i Afaristëve Shqiptarë, Lugano;
- 2004-2007 Themelues i SEED, Fondacioni për zhvillim ekonomik të Evropës Juglindore, Uashington (Fondacioni promovues dhe lobues i pavarësisë së Kosovës);
- Anëtar i Center for International and Strategic Studies CSIS (Qendra për Studime Strategjike Ndërkombëtare), Washington, Këshilltar permanent i Komitetit të udhëhequr nga Henry Kissinger;
- Themelues i Fondacionit për të rinjtë Ibrahim Kodra, Lugano;
- Organizata për Lobim New Kosova Alliance, Washington, (2005-2007);
- Fondacioni Behgjet Pacolli, Prishtinë;
- Themelues dhe Kryetar i Partisë Politike Aleanca Kosova e Re, AKR (2007);
- Deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës (2007-2010);
- Deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës (2011).

Veprimtaritë humanitare:
- 1993 - Themelues dhe sponsor i spitalit për strehimin dhe përkujdesjen e fëmijëve të braktisur që lindin me probleme fizike në Sakha);
- 1999 - Në bashkëpunim me zonjën Fanfani dhe Fondacionin Fëmijët e paqes, intervenon masivisht në ofrimin e ndihmave në Kukës, Ivangrad e gjetiu, për të dëbuarit nga Kosova;
- 1999 – Mbështetje spitaleve në Kosovë me barna dhe preparate medicinale;
- 2000-2004 - Mbështetje për ngritjen e infrastrukturës së TMK-së në Prishtinë dhe kontribut në pajisjet profesionale të saj;
- 2005 – Mbështetje për ngritjen e Qendrës memoriale në fshatin Penuhë të Podujeves;
- 2004 – Lirimi i pengjeve në Afganistan (rasti i Shqipe Hebibit);
- 2006 – Lirimi i gazetarit të marrë peng në Afganistan Gabrielle Torsello;
- 2008-2011 - Lobim permanent për njohjen e Kosovës si shtet të pavarur (mbi 20 njohje);
- 2007 – Kontribut në lirimin e 23 pengjeve koreanë në Afganistan;

Disa prej aktiviteteve humanitare të Fondacionit “Behgjet Pacolli”:

- Projektues, sponsor dhe financues i gjithë strukturës së Universitetit Amerikan AUK në Kosovë;
- Financues i zgjerimit të Fakultetit Filozofik në Prishtinë;
- Financues i projekteve kulturore e trashëgimtare në Kosovë;
- Sponsorizues i sporteve në Kosovë;
- 20 bursa studimi në vazhdimësi (në Kosovë dhe jashtë);
- Kontribut tërësor në ndërtimin e strehimeve për familjet skamnore;
- Asistencë në dërgimin për shërim jashtë vendit të dhjetëra pacientëve në vit;
- Asistencë sociale invalidëve dhe personave në nevojë (pagë mujore);
- Ngritja e muzeut Ibrahim Kodra në Prishtinë (në proces);
- Asistencë ditore të njerëzve në nevojë;

Vlerësime:

- Dekoratat e TMK;
- Vlerësime dhe tituj nderi nga Universiteti i Teknologjisë së Roçester (Rochester);
- Dekorata nga AUK (Universiteti Amerikan në Kosovë)
- Dekoratat e larta të Shtetit të Perusë, Presidentit të Perusë;
- Dekorata më e lartë shtetërore e Federatës Ruse (vlerësimet në arkitekturë), qytetari i dytë i huaj pas amerikanit ARMAND HAMMER që e merr këtë dekoratë;
- Qytetar nderi i Astanës, Republika e Kazakistanit;
- Konsull nderi global i Liberisë (2002-shtator 2010);
- 2009 - Ambasador i Paqes (Universal Peace Federation);
- 2010 Kalorës i Paqes Globale i Mijëvjeçarit; dhënë nga Centro Internazionale per la Pace fra i Popoli (Qendra Ndërkombëtare për paqen mes popujve) çmim i dhënë dhe Michail Gorbacov, Perez De Cuellar, S.S. Giovanni Paolo II, Luciano Pavarotti, Helmut Kohl, Nënë Tereza e Kalkutës, Kofi Annan, Bill Gates, etj;
- Mirënjohja nga Fondacioni Nelson Mandela;
- Mirënjohja nga Fondacioni Clinton Global Initiative.

Gjuhët:
Gjuhë amtare: Shqip;
Gjuhë të huaja: Anglisht, Frengjisht, Gjermanisht, Italisht, Rusisht, Spanjisht, Serbo-Kroatisht.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës e quajti jokushtetues vendimin për zgjedhjen e z.Behgjet Pacolli në detyrën e Presidentit. Më 30 mars 2011, kjo gjykatë publikoi vendimin e marrë më 28 mars, sipas të cilit, “Vendimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës Nr. 04-V-04, lidhur me zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, më 22 shkurt 2011, është jokushtetues”.

*****

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi kreu funksionin e Ushtruesit të Detyrës së Presidentit të Republikës nga 1 prill deri më 7 prill 2011, kur Presidente e Republikës së Kosovës u zgjodh zonja Atifete Jahjaga.

Agjenda