Presidenti Thaçi për “EurActiv”: Pse Kosova dhe Ballkani gjetën lehtësim në rezultatin e zgjedhjeve të Austrisë

Si president i Kosovës, republikës së vogël në Ballkanin Perëndimor, Hashim Thaçi është i pari i cili pranoi të ketë ndjerë lehtësim nga rezultati i zgjedhjeve presidenciale në Austri.

Shkruan: Hashim Thaçi, president i Republikës së Kosovës.

I kam dërguar urimet e mia presidentit të zgjedhur Alexander Van der Bellen dhe e mirëpres bashkëpunimin me të në çështjet që bashkojnë rajonin tonë me Vjenën – kryeqytetin e vjetër të Perandorisë së Habsburgëve – e cila ka luajtur një rol kyç në historinë, kulturën e madje edhe në arkitekturën tonë.

Zgjedhja e presidentit ishte një çështje krejtësisht austriake dhe do të ishte e pavend për cilindo prej nesh në Ballkan që të flisnim në favor të ndonjërit prej kandidatëve gjatë fushatës.

Megjithatë, zgjedhjet ishin me rëndësi jetike për ne në Kosovë dhe në rajon.

Ashtu si homologët e tij të ekstremit të djathtë në Francë dhe Gjermani, Norbert Hofer sulmoi politikën e jashtme të garniturës austriake që kishte njohur sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës. Ai gjithashtu kishte deklaruar publikisht se “do të ishte gabim që të pranohej Kosova në organizata ndërkombëtare, sepse kjo vetëm se do të shkaktonte probleme”.

Ky është lloji i argumentit që jemi mësuar të dëgjojmë nga Moska e Putinit, por jo nga një vend me një histori të gjatë të mbështetjes së vetëvendosjes së ish-republikave jugosllave që kanë fituar lirinë e tyre nga diktatori Sllobodan Millosheviq.

Austria u bë një fanar i shpresës kur ajo i hapi dyert e universiteteve për studentët tanë, pasi që Serbia ndaloi mësimin në gjuhën shqipe në Kosovën e pushtuar në vitet 1990. Unë, personalisht, kurrë nuk do t’i harroj homazhet për demokracinë dhe të drejtat e njeriut nga ana e politikanëve si Alois Mock dhe Otto von Habsburg, në kohën kur unë isha student.

Kjo është arsyeja pse ne në Kosovë ishim kaq të tronditur që një politikan arriti fare pranë presidencës kombëtare përmes një platforme që hodhi poshtë dekada të politikave të përcaktuara progresive që kanë ndihmuar Ballkanin për të kapërcyer urrejtjen dhe nacionalizmin.

Platforma e Hoferit, ashtu si e lëvizjeve të tjera të ekstremit të djathtë në Europë, mbështetet në konceptin e Hantingtonit të përplasjes së qytetërimeve dhe në promovimin e teorisë se Islami është i papajtueshëm më Europën. Për ne në Kosovë, Shqipëri apo Bosnje, me shtresa të mëdha të shoqërive tona që i përkasin besimit islam, një teori e tillë na përjashton nga ndjenja e të qenit pjesë e kontinentit ku kemi jetuar me shekuj dhe mijëvjeçarë.

Përveç kësaj, Kosova nuk është myslimane: shoqëria jonë është laike dhe qytetare.

Kosova u bë vendi i parë në Ballkan që zgjodhi një president grua më 2011 dhe është shteti i parë në Ballkan që ka njohur komunitetet LGBTI në kushtetutën e saj. I kam prirë paradës së komuniteteve LGBTI në Kosovë muajin e kaluar, për të përçuar mbështetjen tonë për këtë komunitet, pikërisht për t’i treguar qytetarëve tanë dhe botës se ekstremizmi dhe paragjykimi nuk kanë vend në mesin tonë.

Gjithashtu, ne nuk jemi as strehë e sigurt për ekstremistët. Shërbimet tona të sigurisë kanë bërë 100 arrestime dhe kanë siguruar 67 aktakuza si dhe 26 dënime kundër mbështetësve të ISIS-it në vendin tonë. Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry vuri re në një vizitë të fundit në Kosovë se kosovarët janë prijës rajonalë në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, po ashtu, njohu rolin e Kosovës në promovimin e dialogut ndërfetar në një raport të vitit 2013. Edhe Bashkimi Europian theksoi ritmin e përshpejtuar të reformave tona dhe nënshkroi me Kosovën traktatin e parë para anëtarësimit, Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.

Sentimentet e thella euroskeptike të propaguara nga Hofer dhe ekstremi i djathtë janë jashtëzakonisht dhe qenësisht të rrezikshme për të gjitha vendet e Ballkanit.

Ishte pikërisht tërheqja gravitacionale e Brukselit që solli paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë. Pa perspektivën e anëtarësimin në BE, si një familje e vlerave dhe interesave të përbashkëta, politikat e rajonit tonë rrezikojnë të katandisen në një boshllëk që mund të mbushet nga ekstremistë në vendin tonë.

Sipas sondazheve, më shumë se 95 për qind e kosovarëve dëshirojnë anëtarësimin në BE dhe në NATO.

Si një hap drejt këtij qëllimi, Komisioni Europian tashmë ka rekomanduar zyrtarisht liberalizimin e vizave dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve tanë brenda zonës Shengen, në përputhje me pjesën tjetër të Ballkanit.

Liberalizimi i vizave është fituar me shumë mund, pas reformave të vështira të brendshme, por është e qartë se disa politikanë në Europë po përfitojnë nga disponimi aktual i pakënaqësisë publike ndaj migrimit dhe po përdorin Kosovën dhe Ballkanin si një kokë turku.

Në ndërkohë që po festojmë fitoren e ngushtë të forcave progresive të Austrisë, një gjë është e sigurt. Krerët e Ballkanit duhet të punojnë më shumë në forcimin e sundimin të së drejtës dhe në luftimin e emigracionit të paligjshëm si dhe ekstremizmit të dhunshëm, për të siguruar një ndjenjë në rritje të sigurisë dhe për t’i qetësuar skeptikët në mbarë Europën.

Në duhet të jemi – siç është një thënie – “më katolikë se Papa”, në mënyrë që t’i bindin kundërshtarët se ëndrra europiane, rruga europiane, është shansi ynë i vetëm, kontrata më e mirë që ne mund të nënshkruajmë për të garantuar të ardhmen tonë.

Agjenda

KOSOVO IN UNESCO